Një grabitje me armë zjarri është regjistruar një ditë më parë në një nga filialet e bankës FiBank, ku autori arriti të marrë rreth 8 milionë lekë. Sipas policisë, i dyshuari, Bardhyl Fusha, ka hyrë në ambientet e institucionit financiar i armatosur me armë zjarri automatik dhe, pasi ka kërcënuar punonjësit, ka marrë shumën e parave.
Ai është arrestuar menjëherë sapo ka dalë nga banka, pasi patrulla e policisë ishte njoftuar nga punonjësit. Sapo efektivët i kanë bërë thirrje për t’u dorëzuar, Fusha ka hedhur armën dhe çantën me paratë, duke mos bërë rezistencë dhe duke iu bindur urdhrave të tyre.
Burime bëjnë me dije se Fusha, me origjinë nga Librazhdi, ishte sipërmarrës në fushën e ndërtimit në Tiranë, por vitet e fundit dyshohet se ishte përballur me vështirësi të mëdha financiare. Ai raportohet se është proceduar edhe më herët për detyrime të pashlyera ndaj klientëve, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.