Tre shtetas nga Turqia janë arrestuar nga Komisariati nr. 2 në Tiranë, pas denoncimit të një 32-vjeçareje suedeze, e cila pretendon se është përdhunuar në një apartament me qira pranë zonës së Zogu i Zi.
Në pranga ka rënë 29-vjeçari Ferhatcan Cicek, nga Stamboll, i dyshuar për marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura. Sipas burimeve pranë policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 12 shkurtit. E reja nga Suedia, me inicialet V. E., është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku janë konstatuar shenja dhe dëmtime që përputhen me dhunë seksuale.
Gjatë kontrollit në banesën me qira, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi kanabisi. Për këtë arsye, ndaj 29-vjeçarit rëndon edhe akuza e prodhimit dhe shitjes së drogës.
Po ashtu, janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë, 29 dhe 32 vjeç, të cilët dyshohet se kanë qenë të pranishëm në apartament në momentin e ngjarjes. Sipas hetimeve paraprake, ata kanë poseduar dhe konsumuar një pjesë të lëndës narkotike të gjetur në banesë dhe akuzohen për moskallëzim krimi dhe posedim të lëndëve narkotike.