Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, struktura e shpenzimeve të familjeve shqiptare në periudhën 2020–2025 ka pësuar ndryshime të dukshme, duke reflektuar rritjen e pasigurisë financiare dhe orientimin drejt shpenzimeve më bazike. Në fillim të këtij viti, INSTAT rifreskoi metodologjinë e matjes së inflacionit, duke përfshirë për herë të parë kategorinë “sigurimet financiare”, e cila zë 1.5% të shpenzimeve mujore të familjeve. Kjo risi lidhet me rritjen e interesit për produkte mbrojtëse si sigurimet e jetës, sigurimet shëndetësore dhe produktet e kursimit, në një klimë me më shumë pasiguri ekonomike.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të shpenzimeve për komunikim, nga 3.0% në vitin 2020 në 3.6% në vitin 2025, si rezultat i zgjerimit të përdorimit të internetit dhe shërbimeve digjitale. Në rritje janë edhe shpenzimet për transport (nga 6.1% në 6.4%), si dhe ato për qira, ujë, energji dhe lëndë djegëse (nga 20.1% në 20.2%). Ndërkohë, pesha e shpenzimeve për ushqime dhe pije joalkoolike ka mbetur relativisht e qëndrueshme, duke kaluar nga 34.3% në 34.1%, çka lidhet kryesisht me ndryshimin e peshave relative të kategorive.
Nga ana tjetër, vihet re një tkurrje e shpenzimeve për kategori jo thelbësore. Kujdesi personal ka rënë nga 5.6% në 4.5%, mobiliet dhe pajisjet shtëpiake nga 7.5% në 7.0%, ndërsa argëtimi dhe kultura nga 2.3% në 2.0%. Po ashtu, janë ulur shpenzimet për arsimin (nga 3.4% në 3.0%), shëndetin (nga 3.5% në 3.2%) dhe veshje e këpucë (nga 3.9% në 3.8%), ndërsa shpenzimet për hotele, kafene dhe restorante kanë mbetur të pandryshuara në nivelin 5.7%. Sipas INSTAT, këto zhvillime tregojnë një zhvendosje të prioriteteve të familjeve drejt sigurisë financiare dhe nevojave bazë.