Dy shtetas izraelitë janë vënë nën akuzë pasi dyshohet se kanë përdorur informacione të klasifikuara ushtarake për të vendosur baste mbi zhvillime të ardhshme, në një rast që autoritetet e cilësojnë si “shkelje të rënda të sigurisë kombëtare”.
Sipas një deklarate të përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit, shërbimit të sigurisë së brendshme Shin Bet dhe policisë, një civil dhe një rezervist i ushtrisë dyshohet se kanë vendosur baste në platformën amerikane të parashikimeve “Polymarket”. Dyshimet janë se rezervisti ka përdorur informacione të ndjeshme, në të cilat kishte akses për shkak të detyrës, për të parashikuar operacione të ardhshme ushtarake.
Pas një hetimi të përbashkët mes policisë, inteligjencës ushtarake dhe agjencive të tjera të sigurisë, Prokuroria vendosi të ngrejë akuza ndaj tyre, përfshirë ryshfet dhe pengim të drejtësisë. Identiteti i të dyshuarve, si dhe pozicioni i rezervistit në ushtri, nuk janë bërë publikë.
Sipas raportimeve të medias publike izraelite “Kan”, bastet dyshohet se janë vendosur në muajin qershor, përpara përshkallëzimit të luftës mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa fitimet e përllogaritura arrijnë rreth 150 mijë dollarë.
Autoritetet theksojnë se veprime të tilla përbëjnë “rrezik real për sigurinë e shtetit”, duke paralajmëruar se çdo person që përdor në mënyrë të paligjshme informacione të klasifikuara do të përballet me drejtësinë. Dy të akuzuarit do të qëndrojnë në paraburgim deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Platformat e parashikimeve si Polymarket funksionojnë mbi kontrata “po” ose “jo” për ngjarje të ardhshme, ku çmimi i kontratës lidhet me probabilitetin që tregu i jep realizimit të një ngjarjeje. Vitet e fundit, këto tregje kanë njohur rritje të shpejtë, por njëkohësisht kanë ngritur pikëpyetje mbi transparencën, rrezikun dhe kufirin mes investimit dhe basteve.
Rasti ka hapur debat mbi sigurinë e informacionit në kohë konfliktesh dhe përdorimin e platformave dixhitale për përfitime të paligjshme.