Akuzohet për skandale me tendera, Rama emëron Afrim Qendron në krye të IKMT-së

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 12.02.2026, 15:31

Pas dorëheqjes së Dallëndyshe Bicit më 26 janar 2026 nga detyra e kryeinspektores së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), kryeministri Edi Rama ka emëruar Afrim Qendron në krye të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Qendro, i cili deri para pak ditësh ishte Prefekt i Qarkut të Tiranës, njihet si një nga bashkëpunëtorët e afërt të Ramës që prej kohës së drejtimit të Bashkisë së Tiranës. Ai ka mbajtur një sërë funksionesh të larta publike dhe politike, si drejtues i Ndërmarrjes Nr.1 në Bashkinë e Tiranës, drejtues i Inspektoratit Ndërtimor, drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar, nënkryetar i Bashkisë së Vlorës, si dhe koordinator elektoral i PS në qarqet Tiranë dhe Vlorë, duke qenë gjithashtu anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së.

Qendro ndërkohë është i përfshirë në skandlain e Unazës së re për të cilën është thirrur disa herë dhe në Prokurori, teksa është një nga grabitësit e tenderave të rrugëve gjatë kohës kur ishte në krye të ARRSH.

Afrim Qendro është përfshirë në disa polemika dhe hetime që lidhen me periudhën e tij në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Emri i tij doli në skenë në janar 2019, kur u thirr për të dëshmuar në lidhje me skandalin e kompanisë “DH Albania”, e cila fitoi dy tendera me vlerë rreth 30 milionë euro, për ndërtimin e një segmenti të Unazës së Re dhe një linje tensioni. Më pas rezultoi se kompania kishte paraqitur dokumente të falsifikuara, duke pretenduar se ishte subjekt amerikan. Pas shpërthimit të skandalit, Qendro u largua nga drejtimi i ARRSH-së, ndërsa në vend të tij u emërua Sonila Qato.

Akuza dhe dyshime janë ngritur edhe për përfitime të shumta tenderash nga kompania “Start & Co”, e lidhur me familjen e Qendros, e cila sipas raportimeve ka marrë dhjetëra kontrata publike. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje në disa procedura, duke theksuar raste kur kompania është shpallur fituese pa plotësuar kriteret dhe me dokumentacion të diskutueshëm, përfshirë paraqitjen e faturave të njëjta për të përmbushur kushtet e punëve të ngjashme. Megjithatë, pavarësisht rekomandimeve për anulim të procedurave, disa kontrata janë nënshkruar, duke shtuar debatet dhe dyshimet mbi favorizime dhe konflikt interesi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit