Pas momenteve dramatike të regjistruara sot në Kuçovë, ku një punonjëse e pastrimit të qytetit, e larguar nga puna pasi kërkoi pagën e prapambetur prej dy muajsh, tentoi t’i japë fund jetës duke u hedhur nga një kullë e lartë oksigjeni pranë ish-Uzinës, situata është mbyllur pa pasoja tragjike.
Pas negociatave me policinë, të cilët i premtuan rikthimin në vendin e punës, ajo pranoi të zbresë nga kulla. Më pas u shoqërua nga efektivët për marrje në pyetje dhe për ndjekjen e procedurave standarde.
“Më hoqi pse kërkova rrogën. Kishim dy muaj e gjysmë. Tani nuk e di. Do shkojmë në bashki te kryetari”, u shpreh ajo pak minuta pasi zbriti.
40-vjeçarja ishte ngjitur në mënyrë demonstrative në majë të kullës së oksigjenit në ambientet e ish-Uzinës së Kuçovës, duke kërcënuar se do të hidhej. Ndërkohë, edhe punonjëse të tjera të larguara nga puna kanë reaguar, duke shpjeguar arsyet që çuan në këtë formë të pazakontë proteste.