Eric Marku, sportisti shqiptar i MMA, po bën krenarë shqiptarët me paraqitjen e tij në Kampionatin Europian të IMMAF, i cili po zhvillohet në Serbi. Djali i ish-sportistes së ndjerë të klubit “Vllaznia”, Diana Gjin Marku, po garon në këtë kompeticion madhor duke përfaqësuar Irlandën, vend ku ai zhvillon karrierën e tij sportive.
Në një përballje shumë të rëndësishme, Marku arriti një fitore të madhe ndaj kundërshtarit bullgar, duke e mbyllur ndeshjen me “knockout” që në raundin e parë. Me një performancë dominuese, ai tregoi forcë, teknikë dhe vendosmëri, duke mos i lënë asnjë hapësirë rivalit të tij.
Kjo fitore ka një domethënie të veçantë, jo vetëm për rezultatin sportiv, por edhe për simbolikën që mbart. Një sportist me origjinë shqiptare, që triumfon në një kompeticion europian prestigjioz si IMMAF, pikërisht në Serbi, i jep kësaj arritjeje një peshë edhe më të madhe emocionale.