Pak ditë më parë, JOQ ALBANIA publikoi denoncimin e qytetarëve të Shkozës për gjendjen e rënduar të një rruge, e cila prej rreth një muaji është shembur dhe ka krijuar rrezik serioz për kalimtarët.
Sipas banorëve, situata ka shkaktuar frikë, pasi ekziston mundësia që dikush të bjerë gjatë kalimit për shkak të mungesës së sigurisë. Banorët treguan se edhe pse bashkia është vënë në dijeni të këtij problemi, asnjë institucion nuk ka ndërmarrë masa për riparimin e rrugës.
Për të shmangur aksidentet, banorët kanë vendosur vetë disa gurë dhe shirita sinjalizues.
Megjithatë, edhe pas denoncimit në JOQ, masat e ndërmarra nga njësia administrative kanë qenë të pakta.
Punonjësit kanë vendosur vetëm një shirit ngjyrë të kuqe, ndryshe nga shiriti i bardhë që kishin vendosur qytetarët, ndërkohë që blloqet e betonit mbeten të pandryshuara dhe ndryshimi i vetëm janë disa shtylla metalike e kuqe që mezi duken.
Banorët paralajmërojnë se, nëse rruga nuk riparohet urgjentisht, kjo mund të shkaktojë ndonjë tragjedi pasi është e përdorur nga të gjithë. Ata kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet dhe kujdes më të madh për sigurinë e komunitetit.