Detaje të reja janë bërë publike lidhur me tentativën e grabitjes së FiBank, bankë e nivelit të dytë në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Sipas burimeve, i dyshuari Bardhyl Fusha ka hyrë në ambientet e filialit i armatosur dhe ka arritur të depërtojë deri te një nga arkat, ku ka marrë një shumë parash.
Megjithatë, plani i tij ka dështuar në momentin e largimit. Punonjësit e sigurisë private kanë reaguar menjëherë, duke e izoluar brenda hyrjes së filialit të FIBank dhe duke i bllokuar daljen, çka e ka lënë autorin të bllokuar në ambientet e bankës.
Gjatë përpjekjes për t’u larguar, 58-vjeçari ka qëlluar një herë me armë drejt dyshemesë, por struktura e blinduar e xhamave ka penguar çdo rrezik të mundshëm për klientët dhe stafin.