Katër anëtarët e familjes Kola, të cilët humbën jetën tragjikisht më 4 shkurt në Itali si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit, kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit. Viktimat janë Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida Kola, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre, Hadjar Kola, 22 vjeç, dhe Xhesika Kola, 15 vjeçe, me origjinë nga fshati Gryksh i Madh, Peqin.
Familja u gjet pa shenja jete në banesën e tyre në Porcari, në provincën e Lucca-s. Sipas mediave italiane, gazi monoksid karboni, i cili është pa erë dhe shumë i rrezikshëm, dyshohet se i ka vrarë në gjumë. Djali i madh i familjes mendohet të ketë qenë i fundit që është ndjerë keq dhe ka tentuar të kërkojë ndihmë me telefon.
Shtëpia ku jetonin ishte blerë rreth një vit e gjysmë më parë dhe familja ishte zhvendosur aty vetëm pesë muaj më parë. Hetimet po përqendrohen te kaldaja e re e instaluar në banesë dhe nëse ajo kishte kaluar kontrollet dhe mirëmbajtjen e duhur teknike, ndërsa autoritetet italiane kanë përjashtuar shkaqe të tjera për ngjarjen e rëndë.