Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se gjatë takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë ka këmbëngulur që negociatat me Iranin për programin bërthamor të vazhdojnë.
Dy liderët u takuan për gati tre orë në Uashington, në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe negociatash intensive për kufizimin e programit bërthamor të Teheranit.
Në një postim në Truth Social, Trump e cilësoi takimin si “shumë të mirë”, duke theksuar se nuk është arritur asgjë përfundimtare, përveç insistimit të tij që dialogu me Iranin të vijojë për të parë nëse mund të arrihet një marrëveshje. Ai shtoi se një marrëveshje është “preferenca” e tij, por paralajmëroi se nëse ajo nuk arrihet, “do të shohim cili do të jetë rezultati”.
Sipas zyrës së Netanyahut, në takim u diskutuan “nevojat e sigurisë së Izraelit në kontekstin e negociatave” dhe palët ranë dakord të vazhdojnë koordinimin e ngushtë.
Netanyahu pritet të kërkojë një marrëveshje më të gjerë që jo vetëm të ndalë pasurimin e uraniumit nga Irani, por edhe të kufizojë programin e raketave balistike dhe mbështetjen për grupet aleate si Hamas dhe Hezbollah. Irani ka sinjalizuar gatishmëri për të kufizuar programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve, por ka refuzuar kërkesa të tjera.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se vendi i tij “nuk do t’i nënshtrohet kërkesave të tepruara”, por shtoi se Teherani është i gatshëm për dialog dhe ka theksuar se Irani “nuk synon të prodhojë armë bërthamore”.
Ndërkohë, SHBA ka rritur praninë ushtarake në rajon. Trump ka paralajmëruar se mund të ndërmarrë goditje nëse nuk arrihet një marrëveshje, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë e dërgimit të një grupi të dytë aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme.
Analistët vlerësojnë se Izraeli druhet nga një marrëveshje që nuk adreson plotësisht shqetësimet e tij për sigurinë, ndërsa Irani ndodhet në një pozicion më të dobët pas tensioneve të brendshme dhe përplasjeve të fundit ushtarake në rajon.
Vizita e Netanyahut në SHBA është e gjashta që prej rikthimit të Trump në detyrë, më shumë se çdo lider tjetër botëror gjatë kësaj periudhe.