Aeroporti i Vlorës, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të vendit, vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak të një konflikti gjyqësor mes aksionerëve, duke lënë të pasigurt datën e hapjes dhe nisjen e operimit.
Në qendër të përplasjes janë dy ortakët e shoqërisë koncesionare, MABCO, që pretendon se zotëron 98% të aksioneve, dhe 2A Group, me 2%. Konflikti ka nisur pas pretendimit për një kontratë që synonte shitjen e 47% të aksioneve nga aksioneri mazhoritar tek ai minoritar, të cilën MABCO e mohon duke deklaruar se firma e Behgjet Pacollit është falsifikuar.
Gjykata e Shkallës së Parë i dha të drejtë aksionerit të vogël, ndërsa Gjykata e Apelit e rrëzoi këtë vendim, duke i dhënë të drejtë aksionerit mazhoritar. Por një vendim i mëtejshëm sigurie ka pezulluar veprimet e MABCO-së në shoqëri, duke bllokuar praktikisht çdo vendimmarrje për projektin.
Sipas kontratës, aeroporti duhej të përfundonte brenda 36 muajsh dhe ishte planifikuar të hapej këtë pranverë. Por nëse çështja vazhdon të zvarritet, kompania paralajmëron se do të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar, duke iu referuar marrëveshjeve për mbrojtjen e investimeve të huaja.
Në këto kushte, Aeroporti i Vlorës, i cili pritet të jetë një pikë kyçe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së Jugut, mbetet peng i betejave ligjore, ndërsa afati i hapjes dhe funksionimit të tij mbetet i pasigurt.