Greqia bën autostradë me 6 korsi, 40% më lirë se “rruga me gropa” Qukës-Qafë Pllocë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 11.02.2026, 19:49

Një krahasim i thjeshtë mes veprave publike në Greqi dhe Shqipëri ka nxjerrë në dritë atë që po cilësohet si "batërdia e plaçkitjes" me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ndërsa Athina zyrtare ka nisur punimet për një autostradë moderne që lidh Janinën me Kakavijën, shifrat tregojnë një kontrast tronditës në kosto dhe cilësi me projektet e ngjashme në vendin tonë.

Janinë-Kakavijë: 4.4 milionë euro për kilometër

Greqia ka njoftuar zyrtarisht nisjen e punimeve për autostradën Janinë-Kakavijë, një aks 70 kilometra i gjatë që do të shërbejë si vazhdim i Autostradës Jonike. Projekti, i cili pritet të përfundojë brenda 4 viteve e gjysmë, kap vlerën totale prej 310 milionë eurosh (përfshirë TVSH-në).

Kjo autostradë është projektuar me parametra europianë:

  • Gjerësia totale: 22.25 metra.

  • Korsitë: 2 korsi trafiku plus një korsi emergjence në secilin drejtim (gjithsej 4+2).

  • Shpejtësia: Projektuar për 100 km/orë.

  • Kostoja mesatare: Vetëm 4.4 milionë euro për kilometër.

Pasi të përfundojë, udhëtimi nga Athina deri në kufirin shqiptar do të zgjasë vetëm 4 orë e 30 minuta.

Qukës-Qafë Pllocë: 6 milionë euro për një rrugë që po shembet

Në anën tjetër të kufirit, Shqipëria sapo ka inauguruar segmentin Qukës-Qafë Pllocë, një rrugë 43 kilometra e gjatë që ka vetëm një korsi për secilin drejtim. Pavarësisht parametrave shumë më të ulët se autostrada greke, kostoja e kësaj rruge ka arritur në 260 milionë euro.

Diferenca është flagrante:

  • Kostoja në Shqipëri: Mbi 6 milionë euro për kilometër.

  • Krahasimi: Rruga shqiptare me 2 korsi kushton 40% më shtrenjtë se autostrada greke me 6 korsi.

Për më tepër, rruga Qukës-Qafë Pllocë ka shfaqur dëmtime të rënda vetëm pak javë pas inaugurimit. Për të stabilizuar segmentet që kanë dalë jashtë funksionit, Ministria e Infrastrukturës po shqyrton ndërtimin e një tuneli shtesë, çka do t'i rëndojë edhe më shumë xhepat e qytetarëve me fonde të reja.

Korrupsioni dhe "Bllokimi" nga SPAK

Ky krahasim denoncon faturën e rëndë të korrupsionit që paguajnë shqiptarët për vepra që shpesh shemben pa u mbyllur ende festimet e inaugurimit. Aktualisht, burime nga ministria bëjnë me dije se në sektorin e infrastrukturës nuk po firmoset asgjë, pasi SPAK ka vënë nën akuzë ministren Belinda Balluku, pas sekuestrimit të telefonave që demaskuan batërdinë me veprat publike.

Ndërkohë që fqinjët tanë ndërtojnë me kosto efektive dhe cilësi moderne, Shqipëria mbetet peng i projekteve që kushtojnë miliona, por që dështojnë të garantojnë qoftë edhe qëndrueshmërinë bazë rrugore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit