GJKKO dënon me 12 vite burg kreun e bandës së Shijakut, Astrit Avdylaj

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 11.02.2026, 16:29

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 12 vite burg Astrit Avdylin, i njohur si “Balliu”, i konsideruar si kreu i bandës së Shijakut. Ai u shpall fajtor për veprat penale “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, si edhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.

Dënimi lidhet me laboratorin e heroinës të zbuluar në Has në vitin 2018, një nga operacionet më të bujshme të asaj kohe, për të cilin janë dënuar në total 17 persona me 125 vite burg. Avdyli ishte dënuar edhe më herët me 12 vite burg për këtë çështje, por Apeli i GJKKO-së e rrëzoi vendimin dhe e riktheu për rigjykim.

Sipas hetimeve, laboratori ishte ideuar nga Admir Hoxha, ndërsa Astrit Avdyli dhe anëtarë të tjerë të grupit të tij dyshohet se ishin bashkëpunëtorë në aktivitetin kriminal. Ata akuzohen për futjen e të paktën 161 pakove me heroinë nga Kosova, të cilat përpunoheshin në laboratorin e ngritur në fshatin Brenog të Hasit. Lënda narkotike u gjet e fshehur në një banesë dhe dyshohej se do të transportohej drejt Durrësit, për t’u trafikuar më pas në Itali.

Avdyli u arrestua më 29 qershor 2024 me urdhër të SPAK, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar “Sky ECC”. Ai u vu në pranga rreth një muaj pas operacionit “Revanshi”, në vilën e tij në Shijak, ku u kap me një pistoletë të mbushur.

Ndaj tij rëndojnë edhe tre akuza të tjera për një çështje të veçantë: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Nga komunikimet e zbardhura në “Sky ECC” rezulton se Avdyli bashkëpunonte me grupin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka dhe me grupin e Ervis Martinajt, duke planifikuar ekzekutimin e Durim Bamit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit