‘Lacoste’ dhe ‘Ferrari’ të mbushura me kokainë: Mes trafikantëve të drogës edhe një biznesmen shqiptar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.02.2026, 13:09

Autoritetet italiane të Guardia di Finanza kanë goditur një organizatë kriminale shqiptare që trafikonte kokainë nga Shqipëria drejt Italisë, me bazë në Foligno. Nga operacioni janë arrestuar 7 persona, mes të cilëve 5 shqiptarë; një tjetër u vu nën arrest shtëpiak, ndërsa tre të tjerë janë ende në kërkim.

Gjatë aksionit janë sekuestruar 68 kilogramë kokainë dhe një makinë me fund të rremë. Droga ishte e destinuar për tregun lokal, kryesisht restorante dhe lokale të ndryshme. Pakot e kokainës ishin të ambalazhuara me marka luksoze, si “Lacoste” dhe “Ferrari”.

Mes të arrestuarve është edhe një biznesmen shqiptar, bashkëpronës i një restoranti në Foligno së bashku me një italian, i cili ishte arrestuar më parë. Hetimet për këtë organizatë kriminale kishin nisur në vitin 2024 dhe u zhvilluan përmes përgjimeve telefonike dhe mjedisore, dekriptimit të telefonave të koduar dhe përdorimit të sistemeve satelitore për lokalizim.

Autoritetet italiane njoftuan se rrjeti funksiononte si një skemë piramidale: kryepromotori shqiptar koordinoi prokurimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të drogës në Umbria, me ndihmën e gruas së tij, një partneri në biznesin e restoranteve dhe dy bashkëpunëtorëve të tjerë, një shqiptar dhe një italian. Biznesi përdorej si fasadë për riinvestimin e të ardhurave të paligjshme.

Individët nën hetim përdornin sisteme moderne komunikimi si FaceTime, Snapchat, Signal, radio “walkie-talkie” dhe teknologji të sofistikuar për të shmangur kontrollin e autoriteteve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit