Tifozi i Manchester United lë flokët të rriten prej 493 ditësh, pret pesë fitore radhazi për t’i prerë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 11.02.2026, 12:36

Një premtim i lindur si shaka në rrjet është shndërruar në një sfidë maratonë që zgjat prej 493 ditësh. Frank Ilett, i njohur online si “The United Strand”, publikoi më 5 tetor 2024 një video ku deklaronte se nuk do t’i priste flokët derisa Manchester United të arrinte pesë fitore radhazi.

Ai madje hapi edhe një sondazh për ndjekësit, duke i pyetur se kur mendonin se do të vinte momenti i prerjes: në 2024, 2025 apo 2026. Nga rreth 27 mijë vota, 90% parashikuan vitin 2026. Pas barazimit 1-1 me West Ham të martën, sfida mbetet ende e hapur.

Që nga ajo ditë, Ilett ka grumbulluar mbi 2.3 milionë ndjekës në rrjetet sociale. Ai transmetoi në YouTube ndeshjen e fundit të United, ku në disa momente e ndiqnin më shumë se 100 mijë shikues.

Në një intervistë për BBC Sport, ai tregoi se ideja “pa fitore, pa prerje” nisi si një mënyrë për të sjellë pak humor dhe pozitivitet në një periudhë të vështirë për tifozët e klubit. “Doja vetëm t’u sillja pak gëzim tifozëve të Man Utd në këtë kohë të çuditshme. Nuk kisha ndonjë plan të madh, thjesht entuziazëm dhe një skuadër në krizë. Mendova se do të mbyllej brenda tre apo katër muajsh, por ja ku jemi,” u shpreh ai.

Flokët e tij të gjatë janë kthyer tashmë në një simbol të formës së dobët të skuadrës. Çdo javë, videot dhe fotot e Ilett qarkullojnë në rrjet, si një kujtesë ironike për distancën mes pritshmërive dhe realitetit në “Old Trafford”.

“Flokët e mi janë një pasqyrë vizuale e faktit që Man Utd nuk është aty ku duhet të jetë. E kuptoj pse klubi nuk ka reaguar ende, por shpresoj që me më shumë energji pozitive, një ditë do të ndodhë,” shtoi ai.

Ndërkohë, sfida i ka hapur edhe dyer të reja. Ilett tashmë ka një agjent për marrëveshje komerciale, ka bashkëpunuar me marka të njohura mediatike dhe ka krijuar një kompani për menaxhimin e kërkesave mediatike, duke e kthyer “flokun e paprerë” në një markë më vete.

I pyetur se ku do të donte ta bënte prerjen finale, ai u përgjigj me humor: “Nëse më jepet mundësia, do të ishte fantastike të ndodhte në fushën e Old Trafford nga një prej lojtarëve. Por do ta shohim kur të vijë momenti.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit