*Linku i peticionit: https://www.change.org/p/list-the-albanian-plis-in-unesco
Një peticion online ka nisur të qarkullojë me thirrjen që plisi shqiptar të njihet zyrtarisht nga UNESCO dhe të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale. Nismëtarët theksojnë se kjo njohje do të ishte një hap i rëndësishëm për mbrojtjen dhe promovimin e një prej simboleve më përfaqësuese të identitetit kombëtar shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Sipas tyre, përfshirja në listën e UNESCO-s do të ndihmonte në ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie te brezat e ardhshëm, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për vlerat kulturore shqiptare. Peticioni u bën thirrje qytetarëve që të kontribuojnë me nënshkrimin e tyre, në mënyrë që iniciativa të fitojë sa më shumë mbështetje.
Plisi është mbajtur nga shqiptarët prej shekujsh dhe përfaqëson një simbol të fortë të traditës, unitetit dhe krenarisë kombëtare. Në një kohë kur globalizimi shpesh zbeh identitetet kulturore, nismëtarët theksojnë rëndësinë e ndërmarrjes së hapave konkretë për ruajtjen dhe promovimin e simboleve që përfaqësojnë historinë dhe trashëgiminë shqiptare.