Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë të pandehur ish-kryetarin e Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, nën akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”. Në të njëjtin procedim penal janë përfshirë edhe Edmonda Harizi, Bersant Ylli dhe Feta Hoxha, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e së njëjtës skemë të paligjshme.
Sipas hetimeve, shkeljet lidhen me një procedurë prokurimi për një projekt ujësjellësi që përfshin tetë fshatra të zonës. Çështja u vu në lëvizje pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit në tetor 2024 dhe ka në qendër tenderin për “Ndërtimin e Ujësjellësit Rajonal” për disa fshatra dhe qytetin e Memaliajt, me një fond prej mbi 493 milionë lekësh.
Organi i akuzës pretendon se ish-zyrtarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë favorizuar padrejtësisht operatorë të caktuar ekonomikë, duke shpallur fitues një bashkim kompanish që kishte mangësi në dokumentacion, sidomos në kapacitetin teknik. Po ashtu, sipas SPAK, është lejuar nënkontraktimi i një shoqërie në konflikt interesi, pasi ajo kishte kontribuar në hartimin e projektit dhe specifikimeve teknike.
Gjolek Guci drejtoi Bashkinë e Memaliajt për disa mandate radhazi, deri në zgjedhjet e fundit vendore, ku kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Albert Malaj, fitoi me një diferencë prej 312 votash.
Ndërkohë, ndaj Gucit janë bërë edhe denoncime të tjera nga qytetarë dhe nga Partia Demokratike, ndërsa hetimet për këtë çështje vijojnë.