Sot ka nisur dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara me seli në Hagë. Katër ish-drejtuesit e UÇK-së përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.
Në fjalën e tij përpara trupit gjykues, avokati mbrojtës theksoi se prezumimi i pafajësisë për Hashim Thaçin duhet të jetë pikënisja e çdo vendimi. Ai u kujtoi gjyqtarëve se barra e provës i takon Prokurorisë dhe se fajësia duhet të provohet “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.
Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej të akuzuarve. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e viktimave kanë kërkuar që në vendim të reflektohet dhe të dëgjohet zëri i tyre.
Procesi lidhet me krime që pretendohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do t’i kalojë për vendimmarrje trupit gjykues. Gjyqtarët kanë afat tre muaj për të shpallur vendimin ose për të kërkuar shtyrje të këtij afati.