Mbeturinat pushtojnë QSUT-në, shëndeti i pacientëve në rrezik

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.02.2026, 09:36

Ajo që dikur shihej si problem i rrugëve të Tiranës, sot është zhvendosur brenda ambienteve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Mbeturinat e grumbulluara në oborret dhe hapësirat e spitalit përbëjnë tashmë një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e pacientëve dhe stafit.

Në vendin ku qytetarët kërkojnë shërim, ata përballen me një situatë që mund t’i ekspozojë ndaj infeksioneve.

Mësohet se shërbimi i pastrimit operon me kapacitete minimale, vetëm një mjet dhe staf i kufizuar, çka e bën të pamundur përballimin e volumit të mbetjeve. Si pasojë, plehrat qëndrojnë të pambledhura për periudha të gjata, në një kohë kur numri i pacientëve me viroza sezonale është në rritje dhe rreziku i përhapjes së infeksioneve bëhet edhe më i lartë.

Specialistë të fushës së infeksionit theksojnë se mbetjet spitalore kërkojnë trajtim të kontrolluar dhe zbatim rigoroz të protokolleve të sigurisë. Megjithatë, në praktikë, këto standarde duket se shpesh anashkalohen. Problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e mjeteve, por edhe me mënyrën e menaxhimit dhe respektimin e rregullave bazë të higjienës.

Në spitalin më të madh të vendit, kjo situatë ngre shqetësime serioze mbi përgjegjësinë institucionale dhe sigurinë që duhet t’u garantohet pacientëve. Një problem që kërkon reagim të menjëhershëm, përpara se pasojat të bëhen edhe më të rënda.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit