Prokuroria e Vlorës ka ushtruar një kontroll ditën e martë në ambientet e Bashkisë së Vlorës, ku dy oficerë të OPGJ-së kanë vepruar me urdhër sekuestroje për disa dosje në Zyrën e Aseteve. Sipas burimeve mediatike, dokumentacioni i sekuestruar i përket viteve 2023–2025.
Në fokus të verifikimeve kanë qenë procedurat për ndarjen dhe parcelizimin e plazheve gjatë këtyre viteve, si dhe kontratat e lidhura mes bashkisë dhe subjekteve përkatëse. Hetimet pritet të zbardhin nëse janë ndjekur procedurat ligjore në dhënien në përdorim të hapësirave bregdetare.
Oficerët e OPGJ-së kanë qëndruar në ambientet e bashkisë nga ora 13:00 deri rreth orës 23:00, duke administruar dhe sekuestruar dosjet përkatëse. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se hetimet janë në vijim dhe pritet të ketë zhvillime të tjera në ditët në vazhdim.