Një gjest i pazakontë ka tërhequr vëmendjen në qendër të Fierit. Në mes të rrugës, mes dritave të natës dhe kalimtarëve kureshtarë, një mesazh i madh me germa të arta u shfaq mbi qytet:
“Të dua ❤ Shkodrani jot, më fal tulja ime.”
Pas këtij dedikimi fshihet historia e një djali nga Shkodra, i cili ka zgjedhur të kërkojë falje në mënyrën më publike të mundshme për vajzën që do.
Ai i është drejtuar redaksisë sonë me këmbëngulje që ta publikojmë këtë gjest. Mesazhet e tij ishin të drejtpërdrejta, plot emocion dhe ngulm: dëshiron që ajo ta shohë, ta kuptojë dhe ndoshta ta falë.
Nuk dimë çfarë ka ndodhur mes tyre. Nuk dimë kush ka gabuar dhe sa i thellë është lëndimi. Por dimë që jo çdo ditë dikush zgjedh ta kërkojë faljen në mes të qytetit, duke e kthyer një histori personale në një deklaratë publike, përpara syve të të gjithëve.
Një shkodran që i flet zemrës së një fierakeje. Një “më fal” i madh, i varur mbi rrugë. Një shpresë për një fillim të ri.
Tani fjala është e saj.
Po ju si mendoni… A duhet ta falë? 💔