“Shumë urime për ty, shumë urime për Solein…” – me këtë mesazh të ndjerë, imami Elvis Naçi ka ndarë sot lajmin e shumëpritur për vogëlushen që një vit më parë luftonte për jetën.
Më 10 shkurt 2025 erdhi në jetë Solei, por sekondat e para të jetës së saj u kthyen në një betejë të vërtetë. Foshnja e brishtë, e lidhur me aparatura në inkubator, luftonte për çdo frymëmarrje. Gjendja e saj ishte kritike dhe çdo orë ishte vendimtare.
Në ato ditë të errëta, shqiptarët u bashkuan si një trup i vetëm. Brenda një kohe rekord u sigurua transporti me avion spitalor drejt Italisë, ku Solei nisi një trajtim intensiv disa mujor.
Sot vjen lajmi i bukur: Solei është kthyer në shtëpi e shëruar plotësisht. Ajo nuk është më foshnja e brishtë në inkubator, por një fëmijë plot jetë, me buzëqeshje që rrëmben zemrat.
Në shtëpinë që dikur mbizotërohej nga frika dhe ankthi, sot dëgjohet kënga e ditëlindjes. Solei feston 1-vjetorin e saj – një vit jetë, një vit shpresë.
Ky është një tjetër dëshmi se kur shqiptarët bashkohen, mrekullitë ndodhin. Dhe sot, lajmin e gëzuar për Solein e ndau vetë Elvis Naçi, duke rikthyer buzëqeshjen në mijëra familje që e ndoqën historinë e saj nga dita e parë.