Linda e Pogajve i jep 1.6 milionë euro familjarëve të Emiriana Sakos

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 10.02.2026, 22:04

Një tjetër tender me hije të forta dyshimi mbi korrupsionin dhe klientelizmin ka shpërthyer në zemër të institucioneve shqiptare. Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), nën drejtimin e Arlinda Pogajt, i ka dorëzuar një kontratë me vlerë rreth 1.6 milionë euro me TVSH kompanisë "Mektrin Motors", e cila njihet për lidhjet e saj të ngushta familjare me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako.

Objekti i tenderit me numër reference REF-67990-11-06-2025 ishte "Blerje autoambulanca për shërbimin e urgjencës për QKUM". Me një fond limit prej rreth 1.4 miliardë lekësh të vjetra (pa TVSH), procedura e hapur duket se ka pasur një fitues të paracaktuar.

Duke studiuar dokumentacionin e tenderit, rezulton se të paktën dy kompani të tjera kanë paraqitur oferta me shifra dukshëm më të ulëta sesa "Mektrin Motors". Megjithatë, këto oferta nuk janë marrë në konsideratë nga Linda e Pogajve, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi kriteret e përzgjedhjes dhe dëmtimin e buxhetit të shtetit për favorizime politike.

Historia e kompanisë fituese është po aq e errët sa edhe vetë procedura. "Mektrin Motors" (ish-Blu Auto) u themelua nga Landi Shahini, bashkëshorti i Emiriana Sakos. Në vitin 2008, mediat kanë raportuar se Shahini ka qenë nën hetim në Itali për trafik droge dhe kontrabandë makinash.

Sapo dosja mbërriti në Shqipëri, ai i kaloi aksionet përmes një shitjeje fiktive prej vetëm 2.3 milionë lekësh te vëllai i tij, Edmond Shahini, duke ndryshuar edhe emrin e subjektit. Nga një servis i thjeshtë makinash, suksesi i "Mektrin Motors" në prokurimet publike lulëzoi paralelisht me ngjitjen e Emiriana Sakos në hierarkinë e Partisë Socialiste dhe pushtetin lokal në Durrës.

Deri më sot, kjo kompani dhe rrjeti i lidhur me të rezulton të ketë përthithur rreth 9 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Skema duket e qartë: kontratat fitohen për makina me qira apo mjete transporti për institucione shtetërore dhe bashki, shpesh duke përdorur emra të të afërmve për të mbuluar konfliktin e interesit.

Ky rast i fundit me autoambulancat e QKUM-së përforcon akuzat se institucionet e blerjeve të përqendruara po shërbejnë si "bankomate" për klanet pranë pushtetit, duke injoruar ofertat më ekonomike dhe duke ricikluar emra me të shkuar problematike në menaxhimin e fondeve publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit