Jutta Leerdam u shndërrua në një nga figurat më të spikatura të Olimpiadës Dimërore Milano–Cortina, jo vetëm për famën e saj në rrjetet sociale, por mbi të gjitha për dominimin absolut në pistë. Sportistja holandeze fitoi medaljen e artë në patinazhin e shpejtësisë, duke konfirmuar statusin e saj si mbretëresha e padiskutueshme e kësaj disipline.
Me mbi 7 milionë ndjekës në platformat digjitale, Leerdam mbërriti në Itali nën një vëmendje të jashtëzakonshme mediatike. Megjithatë, presioni nuk ndikoi aspak në performancën e saj. Në garë ajo ishte thjesht e pakapshme, duke dominuar rivalet dhe duke vendosur një rekord olimpik që e nguliti emrin e saj në histori.
E nisur fillimisht si lojtare e hokejit në bar, Jutta Leerdam ka ndërtuar me këmbëngulje një karrierë brilante në patinazhin e shpejtësisë, duke fituar gjashtë tituj botërorë. Medalja e artë olimpike përfaqëson kulmin e një rrugëtimi të jashtëzakonshëm, që e ka afirmuar jo vetëm si sportiste elitare, por edhe si një nga personazhet më të ndjekura të sportit modern.
Triumfi në Milano–Cortina ka një domethënie të veçantë për Leerdam. Katër vite më parë, në Lojërat Olimpike të Pekinit, ajo u ndal në medaljen e argjendtë. Këtë herë, historia ndryshoi. Në garën e 1000 metrave, Jutta tregoi autoritet absolut, duke ndalur kronometrin në 1 minutë, 12 sekonda e 31 të qindtat — një kohë që i siguroi jo vetëm medaljen e artë, por edhe rekordin olimpik.