Pas vdekjes së 54-vjeçarit italian Massimo Ferro gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale për ngushtimin e stomakut në Shqipëri, Prokuroria e Padovës ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. Mediat italiane raportojnë se procesi hetimor po përballet me pengesa serioze, që lidhen drejtpërdrejt me autopsinë e kryer në Shqipëri.
Sipas “Il Gazzettino”, mjeku ligjor i ngarkuar nga prokuroria italiane për të kryer autopsinë nuk ka mundur të dalë në një konkluzion përfundimtar, pasi ekzaminimet pas vdekjes janë bërë të pamundura. Arsyeja lidhet me faktin se në trupin e pacientit mungonin disa organe, të cilat janë hequr gjatë autopsisë së kryer në Shqipëri dhe ndodhen ende në laboratorin e mjekësisë ligjore në Tiranë.
Mes organeve që mungojnë është edhe stomaku, i konsideruar thelbësor për hetimet mbi ndërhyrjen kirurgjikale dhe shkaqet e vdekjes. Pa analizimin e këtyre mostrave, autoritetet italiane nuk janë në gjendje të kryejnë një vlerësim të plotë mjeko-ligjor.
Për të vijuar procedurat, mjeku ligjor në Padova do të duhet të presë përfundimin e analizave nga kolegët në Tiranë dhe më pas, përmes një letër-porosie, të kërkojë dorëzimin e dokumentacionit dhe materialeve të nevojshme për t’ia paraqitur Prokurorisë së Padovës.
Ndërkohë, trupi i të ndjerit pritet t’i dorëzohet sot familjarëve për kryerjen e ceremonisë mortore.
Sipërmarrësi italian humbi jetën më 22 dhjetor në QSUT, katër ditë pas operacionit për humbje peshe të kryer në klinikën private “Trita Hospital” në Tiranë. Familjarët e tij pretendojnë se para ndërhyrjes nuk janë kryer analizat dhe kontrollet e nevojshme, duke ngritur dyshime serioze mbi standardet mjekësore dhe duke kërkuar drejtësi.