Policia e Prodës shoqëron me dhunë protestuesit në Durrës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 10.02.2026, 17:07

Protesta e qytetarëve të Durrësit kundër projektit TID u shoqërua sot me dhunë nga Policia e Shtetit, e cila në vend që të dëgjonte shqetësimet e banorëve, zgjodhi t’i trajtonte ata me forcë dhe shoqërime në komisariat.

Banorët e lagjes “Hajdar Demiri”, të prekur drejtpërdrejt nga projekti që parashikon shembjen e disa pallateve për zgjerimin e rrugës, u mblodhën përpara Bashkisë së Durrësit për të kërkuar sqarime mbi një listë të publikuar online, ku banesat e tyre figurojnë për prishje. Në vend të transparencës dhe dialogut, ata u përballën me kordonë policie dhe ndërhyrje brutale.

Situata u përshkallëzua kur qytetarët tentuan të futeshin në ambientet e brendshme të bashkisë, ku po zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak. Forcat e rendit reaguan me shtyrje, përplasje dhe shoqërime me dhunë në polici, pavarësisht rezistencës së banorëve që kërkonin vetëm të dëgjoheshin. Pamjet dhe dëshmitë tregojnë qartë një polici më të gatshme për të goditur qytetarët, sesa për t’i mbrojtur ata.

Në këtë skenar të turpshëm, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili duket se ka dhënë edhe një herë bekimin për përdorimin e forcës ndaj qytetarëve të pambrojtur. Shoqërimi i protestuesve pa asnjë shpjegim bindës është një tjetër provë e arrogancës institucionale dhe e keqpërdorimit të uniformës.

Pas debateve të forta në sallën e Këshillit Bashkiak, u lejua që vetëm një qytetare të hynte si përfaqësuese e banorëve. Edhe aty, ajo u përplas me një anëtare të Partisë Socialiste, e cila i kërkoi të heshtte dhe të fliste “kur t’i vinte radha”, konkretisht te pika 13 e rendit të ditës, që lidhet me projektvendimin për bonusin e qirasë për familjet e shpronësuara nga projekti TID.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit