Policia italiane ka vënë në pranga një 24-vjeçar shqiptar në qytetin Vittorio Veneto, në provincën Trevizo, pasi u zbulua se kishte shndërruar apartamentin ku jetonte në një pikë përpunimi dhe shpërndarjeje kokaine.
Gjatë kontrollit në banesë, efektivët sekuestruan rreth 1 kilogram kokainë, peshore precize, materiale për paketim, si edhe 36 mijë euro cash në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme. Sipas autoriteteve, dhoma e gjumit ishte përdorur për ndarjen dhe paketimin e dozave, duke e kthyer apartamentin në një laborator të improvizuar droge.
Nga hetimet rezulton se i riu siguronte dhe shpërndante sasi të konsiderueshme kokaine, kryesisht për klientë me fuqi të lartë blerëse. Karabinierët kishin konstatuar lëvizje të shpeshta dhe transaksione të dyshimta, veçanërisht në zonat e jetës së natës pranë lumit Piave, çka çoi në shtimin e kontrolleve dhe survejimit.
I dyshuari u mbajt për një kohë nën vëzhgim dhe përgjim për të dokumentuar aktivitetin e tij, kontaktet dhe rrjetin e klientëve. Arrestimi u krye të premten në mëngjes, ndërsa një ditë më pas gjykata konfirmoi masën e sigurisë.
Në përfundim, gjykata vendosi arrest shtëpiak për 24-vjeçarin shqiptar, i cili do të qëndrojë në këtë regjim deri në përfundimin e hetimeve dhe procesit gjyqësor.