Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke denoncuar një situatë skandaloze me të cilën po përballen pensionistët në qytetin e Durrësit.
Sipas denoncimit, dhjetëra të moshuar kanë mbi 5 orë që presin në radhë pranë një filiali poste, në përpjekje për të tërhequr pensionet e tyre mujore. Pritja e gjatë, lodhja dhe kushtet e papërshtatshme kanë kthyer një shërbim bazë në një kalvar për njerëzit që mezi qëndrojnë në këmbë.
Ironikisht, pas orësh të tëra pritjeje, pensionistëve u është komunikuar nga punonjësit e postës se në këtë filial nuk ka para për shpërndarjen e pensioneve apo për asnjë pagesë tjetër që tërhiqet përmes postës.
Një situatë e tillë ngre pikëpyetje serioze mbi organizimin dhe përgjegjësinë e institucioneve përkatëse, ndërkohë që pensionistët, një nga shtresat më të brishta të shoqërisë, trajtohen me shpërfillje dhe mungesë totale dinjiteti.
Qytetarët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga autoritetet dhe zgjidhje konkrete.