Në Japoni që prej datës 20 janar ka rënë dëborë e dendur, duke e zhytur vendin në një situatë të rëndë për shkak të motit ekstrem. Reshjet intensive kanë sjellë pasoja tragjike, me 46 viktima dhe 558 persona të plagosur deri më tani.
Pjesa më e madhe e Japonisë veriore është paralizuar, ndërsa qarkullimi rrugor dhe jeta e përditshme janë kthyer në kaos. Prefektura Aomori, në veriun e ishullit kryesor Honshu, rezulton më e goditura, ku shtresa e dëborës ka arritur në 1.3 metra. Në disa zona malore, grumbullimi i borës raportohet se ka shkuar deri në 4.5 metra, duke rritur ndjeshëm rrezikun për aksidente dhe izolim të banorëve.
Si pasojë e kushteve të vështira atmosferike, janë shënuar dhjetëra aksidente, ndërsa shumë familje kanë mbetur të bllokuara për ditë të tëra. Përballë situatës alarmante, në fillim të shkurtit qeveria japoneze angazhoi edhe forcat ushtarake për të ndihmuar në pastrimin e borës dhe në mbështetjen e zonave më të prekura.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, ndërsa Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëron se moti i ashpër pritet të vijojë edhe në ditët në vijim.