Jutta Leerdam, është ylli holandez i patinazhit të shpejtësisë që ka fituar medaljen e artë në garën e 1000 metrave për femra, duke vendosur një rekord olimpik të ri në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.
Leerdam triumfoi me kohën 1 minutë e 12.31 sekonda, duke lënë pas bashkëkombësen e saj Femke Kok dhe japonezen Miho Takagi. Kjo fitore ishte kulmi i një gare mbresëlënëse, veçanërisht pasi Kok kishte thyer rekordin olimpik vetëm dy seri më herët gjatë ditës.
27-vjeçarja, e cila kishte fituar medaljen e argjendtë në Olimpiadën e Pekinit 2022, arriti më në fund të ngjitej në shkallën më të lartë të podiumit. Emocionet ishin të dukshme: Leerdam u emocionua pas përfundimit të garës, ndërsa lotët dhe grimi i shkrirë i rridhnin në fytyrë dhe festonte përpara një turme entuziaste tifozësh holandezë të veshur me portokalli.
Leerdam do të garojë sërish javën e ardhshme në disiplinën e 500 metrave, ku synon një tjetër medalje. Ajo tashmë ka në koleksionin e saj 12 medalje botërore, përfshirë gjashtë të arta.
Me miliona ndjekës në rrjetet sociale dhe vëmendje të madhe mediatike, Jutta Leerdam jo vetëm që dominoi akullin, por edhe rrjetin pasi interneti po “digjet” me komentet për format e saj trupore, make-upin dhe të dashurin YouTube-r, Jake Paul.