120 punonjës të kompanisë së sigurimit të Bankers Petroleum, “SHPSF Serjani”, dolën në protestë paraditen e sotme, për shkak se prej 7 muajsh nuk kanë marrë pagat. Situata ka prekur rreth 120 punonjës, të cilët thonë se po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike.
Sipas protestuesve, numri i punonjësve ka rënë nga 380 në vetëm 120, si pasojë e shkurtimeve të vazhdueshme, ndërsa kjo është protesta e katërt brenda shtatë muajve. Ata theksojnë se pavarësisht se vijojnë punën normalisht, nuk kanë asnjë garanci financiare dhe janë zhytur në borxhe e kredi.
Punonjësit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga drejtuesit e kompanisë dhe institucionet përgjegjëse, duke shtuar se premtimet e marra deri tani kanë qenë të kota. Ata paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë paralelisht me punën, deri në shlyerjen e pagave të prapambetura dhe sigurimin e të ardhmes së punësimit.