Një efektiv policie është pezulluar pas një konflikti me punonjësin e një biznesi në zonën “Malajziani” në Tiranë. Ngjarja ndodhi pasi punonjësit e lokalit i kërkuan policit të largonte makinën e parkuar pranë ambientit, dhe më pas ai dyshohet se e ka kanosur me armën e shërbimit, një pistoletë “TT”, shtetasin D. H. Konflikti është kapur nga kamerat e sigurisë, ku duket momenti kur polici nxjerr armën, teksa në vendngjarje ishin edhe persona të tjerë, përfshirë dy gra.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka pezulluar nga detyra punonjësin e policisë, nënkomisar F. H., dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprime hetimore dhe ka referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës për veprën penale “kanosja”, ndërsa arma i është bllokuar për hetim.
Polici, i punësuar në Policinë e Tropojës, ka deklaruar për AMP se ishte rastësisht në vendngjarje dhe nuk i njihte personat, duke shtuar se nxori armën pasi kishte frikë se mos i merrnin. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.