Meta dhe YouTube në gjyq për varësinë e fëmijëve nga rrjetet sociale

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 10.02.2026, 09:38

Një proces gjyqësor me rëndësi të veçantë ka nisur në Kaliforni kundër Meta-s dhe YouTube, të akuzuara se kanë projektuar platformat e tyre në mënyrë të qëllimshme për të nxitur varësi te fëmijët dhe adoleshentët.

Gjyqi po zhvillohet në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit dhe po shqyrton ndikimin e Instagram dhe YouTube në shëndetin mendor të të miturve, raporton BBC. Paditësja, e identifikuar me inicialet K.G.M., pretendon se ka zhvilluar probleme serioze psikologjike si pasojë e përdorimit të rrjeteve sociale.

Avokati i saj, Mark Lanier, deklaroi para gjykatës se kompanitë “ndërtuan platforma të dizajnuara për të varur trurin e fëmijëve”, duke paraqitur dokumente të brendshme që, sipas tij, tregojnë synimin për të rritur kohën e qëndrimit të përdoruesve në platforma për qëllime fitimi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit ligjorë të Meta-s dhe YouTube i hodhën poshtë akuzat, duke argumentuar se problemet e paditëses lidhen me rrethana personale dhe familjare, përfshirë neglizhencë dhe abuzim, dhe jo drejtpërdrejt me përdorimin e rrjeteve sociale.

Procesi pritet të zgjasë rreth gjashtë javë dhe mund të krijojë precedent për mijëra padi të ngjashme në Shtetet e Bashkuara. Gjatë seancave pritet të dëshmojnë drejtues të lartë të industrisë teknologjike, përfshirë Mark Zuckerberg, drejtuesin e Instagram Adam Mosseri dhe shefin ekzekutiv të YouTube, Neal Mohan.

Ndërkohë, presioni ndaj kompanive të teknologjisë po rritet edhe nga autoritetet shtetërore amerikane. Dhjetëra prokurorë të përgjithshëm kanë kërkuar masa më të ashpra për mbrojtjen e përdoruesve të mitur, përfshirë kufizime kohore, çaktivizimin e funksioneve si “scroll-i i pafund” dhe ndalimin e algoritmeve që synojnë audiencën e re.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit