Një qytetar nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania duke denoncuar një rast që, sipas tij, ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Don Boskos.
Ai ka dërguar një video të filmuar nga kamera e sigurisë, ku shfaqet një grup vajzash adoleshente në shkallët e pallatit. Në pamje duket momenti kur njëra prej tyre i afrohet derës së banesës së denoncuesit, i bie ziles dhe më pas largohet me shpejtësi së bashku me shoqet.
Sipas qytetarit, vajzat kanë shkuar në lagje vetëm për t’u rënë ziles banorëve pa asnjë arsye, duke i shqetësuar. Ai pretendon se kur është përballur me to për t’i pyetur për veprimin e tyre, është hasur me reagime dhe fjalor të papërshtatshëm.
Denoncuesi shprehet gjithashtu se vajzat po e filmonin gjithë situatën me celularë, me qëllim publikimin në rrjete sociale apo shpërndarjen mes moshatarëve si formë “argëtimi”.
Rasti ngre shqetësim për sjelljen e të miturve dhe ndikimin e rrjeteve sociale në nxitjen e provokimeve të tilla.
JOQ Albania publikon këtë denoncim si shqetësim qytetar dhe mbetet e hapur për çdo reagim nga prindërit apo personat e përfshirë në rast.