Shqipëria vazhdon të zgjojë kureshtje jashtë kufijve. Të rinj nga vende të ndryshme tregojnë se çfarë kanë dëgjuar për shqiptarët dhe vendin tonë. Nga tradita e BESËS, që sipas tyre nuk thyhet kurrë, te ideja se shqiptarët zihen për të paguar kafen.
Disa e lidhin Shqipërinë me historinë e saj të veçantë politike, duke përmendur faktin se gjatë Luftës së Ftohtë ishte e rreshtuar me Kinën e Mao Ce Dunit dhe jo me Bashkimin Sovjetik.
Të tjerë flasin për natyrën dhe turizmin, duke përmendur shtegun Valbonë–Theth, plazhet e bukura dhe mikpritjen e njerëzve.
Nuk mungojnë as komentet për muzikën shqiptare, kafen e mirë, apo faktin që shumë shqiptarë flasin italisht dhe spanjisht. Krahas tyre dalin edhe stereotipe apo keqkuptime, të thëna shpesh me humor.
Pamja që krijohet është e qartë: Shqipëria për të huajt është një përzierje mes realitetit, legjendave urbane dhe përshtypjeve personale, por mbi të gjitha, një shtet që nuk kalon pa u vënë re.