Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me protestën e banorëve të zonës Baks-Rrjoll në Velipojë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik dhe akuzojnë biznesmenin Bashkim Ulaj për përvetësim të tokave me mbështetje nga institucionet vendore.
Gjatë një konference për mediat, Berisha u pyet pse Partia Demokratike nuk ka qenë aktive në mbështetje të protestës së banorëve. Ndryshe nga qëndrimet e mëparshme, ku ka dalë hapur në krah të protestave qytetare edhe kur nuk janë organizuar nga opozita, këtë herë kreu i PD-së u shpreh më i rezervuar, duke theksuar se mbështetja e tij kushtëzohet nga ekzistenca e dokumentacionit zyrtar që vërteton pretendimet e protestuesve.
“Natyrisht, ne e mbështesim protestën pa diskutim, kur problemet janë gjithçka të bazuara mbi dokumente të sakta, zyrtare, të vërteta, çka unë nuk i diskutoj. Apriori nuk hedh poshtë asnjë pretendim të atyre protestuesve, ndaj dhe ne po shohim, po e ndjekim. A duhet të bazohet mbi dokumente? Duhet. Sepse nuk kam asnjë lloj dijenie nëse është blerë apo nuk është blerë. Ne po e ndjekim këtë zhvillim”, deklaroi Berisha.