Titi dhe Lina: Dy “humbamenot” që nuk rregullojnë dot “SelfCare”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 09.02.2026, 21:30

Makthi i biznesit shqiptar me sistemin "SelfCare" po vazhdon dhe po thellohet, duke treguar dështimin flagrant të autoriteteve përgjegjëse për të garantuar funksionimin minimal të infrastrukturës dixhitale të shtetit. Ndërsa ekonomistët dhe kontabilistët po përballen me një situatë absurde që nga 20 janari, ministri i Financave, Petrit Malaj dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, duket se janë dy "humbamenot" që nuk po gjejnë dot një zgjidhje për këtë krizë dixhitale.

Edhe gjatë ditës së sotme, bizneset kanë raportuar se programi "SelfCare", i menaxhuar përmes E-Albania, është sërish jashtë funksionit. Pas disa ditësh "paqeje" relative gjatë fundjavës, ku ekonomistët u detyruan të punojnë orë shtesë për të kapur ndonjë moment funksionaliteti, e hëna ka sjellë ringarkesën e sistemit dhe mesazhin makth: “Kontaktoni me administratorin”. Ky mesazh është shndërruar në simbolin e dështimit dhe pasigurisë.

Situata ka shkaktuar një stres të jashtëzakonshëm në komunitetin e ekonomistëve. Mosfunksionimi i sistemit SelfCare bllokon veprime thelbësore për funksionimin e sistemit fiskal dhe administrativ të vendit. Ai pengon personat fizikë të lëshojnë fatura të fiskalizuara, krijon probleme me mosfiskalizimin e deklaratave doganore në afat për importuesit, dhe pamundëson ndryshime të adresës në certifikatën elektronike.

Kjo krizë kulminoi në fund të janarit, kur mosfunksionimi i SelfCare detyroi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të shtyjë afatin për dorëzimin e deklaratave nga 31 janari në 20 shkurt. Megjithatë, kjo shtyrje nuk e ka zgjidhur problemin thelbësor, pasi kjo është pikërisht periudha më e ngarkuar për kontabilistët, të cilët duhet të mbyllin bilancet vjetore, dhe SelfCare është baza kryesore për rakordimet e nevojshme.

Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka ngritur zërin, duke theksuar pasojat e drejtpërdrejta: ndërprerje të punës dhe vonesa në faturim dhe arkëtime; rritje të riskut të gabimeve dhe mospërputhjeve në dokumentacion; kosto shtesë operative (kohë, staf, suport teknik, humbje klientësh); ekspozim ndaj gjobave dhe penaliteteve për afate që bizneset nuk i kontrollojnë; dhe dëmtim të besimit te procesi dhe te formalizimi i tregut me fiskalizimin.

Dështimi i vazhdueshëm i sistemit "SelfCare" është një dëshmi e qartë e neglizhencës dhe inkompetencës administrative. Ndërkohë që bizneset luftojnë për mbijetesë në një mjedis të vështirë ekonomik, dy "humbamenot" në krye të Financave dhe Ekonomisë, Titi dhe Lina, duket se nuk po gjejnë dot as vullnetin dhe as kapacitetin për të rregulluar një problem thelbësor që po dëmton rëndë ekonominë e vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit