Një skandal i ri është zbuluar nga redaksia jonë, ku në qendër të vëmendjes është Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i drejtuar nga Arlinda Pogaj. Këtë herë, "bujaria" e institucionit nuk ka kursyer as ushqimin për qentë e policisë, duke i dhuruar një kontratë të majme biznesmenit Albert Metani.

Objekti i këtij tenderi, me numër reference REF-72947-12-18-2025, është "Blerja e ushqimit koncentrat për qen dhe këlysh" për Institutin e Përgatitjes së Qenëve të Policisë. Megjithëse bëhet fjalë për një procedurë të hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar, ajo që ka ndodhur brenda komisionit të vlerësimit ngre dyshime të forta për një fitues të paracaktuar dhe abuzim me fondet publike.
Nga studimi i detajuar i dokumentacionit, rezulton se në këtë garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani. Por, në kundërshtim me çdo logjikë ekonomike dhe ligjore për mbrojtjen e parasë publike, Arlinda Pogaj ka vendosur të shpallë fituese kompaninë “METANI” SH.P.K, e cila çuditërisht kishte paraqitur ofertën më të lartë në garë.

Shifrat flasin vetë: Bert Metani do të marrë plot 46,545,490 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 580 mijë euro me TVSH, për të dorëzuar 125 ton ushqim. Ndërkohë, fondi limit i vënë në dispozicion nga shteti ishte 51,249,800 lekë të reja pa TVSH. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, vlera fituese e "METANI" SH.P.K kap 90.82% të fondit limit.

Ky rezultat tregon qartë se nuk kemi të bëjmë me një garë reale ku operatorët konkurrojnë për të ofruar çmimin më të mirë, por me një "qërasje" të pastër. Skualifikimi i ofertës më të ulët dhe shpallja fituese e ofertës më të shtrenjtë është një skemë e mirëfilltë abuzimi që eliminon konkurrencën dhe dëmton direkt buxhetin e shtetit.
Duket se për Linda Pogajn, rëndësi nuk ka kursimi i parave të shqiptarëve, por që 125 tonët e ushqimit për qentë të kalojnë patjetër nga duart e Bert Metanit, duke e mbyllur këtë tender me hije të forta skandali dhe paracaktimi.
