Një skemë e mirëfilltë "qokash" me paratë publike po luhet në zyrat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), ku drejtuesi Elisian Bici, me shumë gjasa nën urdhrat e drejtpërdrejtë të Belinda Ballukut, ka mbyllur një tender që ngre dyshime të forta për korrupsion dhe paracaktim. Objekti i procedurës me numër reference REF-73336-12-24-2025 është ndërtimi i linjës së re dopjo qark Sharrë – Selitë, një projekt që kap vlerën e rreth 6.4 milionë eurove me TVSH.

Fituesi i këtij tenderi është shpallur kompania "4 A-M", e cila zyrtarisht zotërohet nga Ardit Metaliaj. Por, pas emrit të Metaliajt, i cili në botën e medias njihet thjesht si "zari" i Bashkim Ulajt, qëndrojnë dyshime të forta se përfituesi i vërtetë i miliona eurove është vetë oligarku Ulaj. Ky bashkëpunim mes "zarave" të politikës dhe atyre të biznesit tregon qartë se si kontratat e rëndësishme shtetërore kalojnë përmes fijeve të interesave private, duke anashkaluar ligjin dhe transparencën.

Ajo që e bën edhe më skandaloze këtë procedurë është mënyra se si është zhvilluar gara. Sipas këqyrjes së dokumentacionit nga JOQ Albania, vihet re një konkurrencë e cunguar ku kanë marrë pjesë vetëm dy kompani. Ky numër i ulët pjesëmarrësish në një tender me vlerë kaq të lartë lë të kuptohet se gara ka qenë thjesht formale dhe fituesi ka qenë i paracaktuar që në nisje.

Fakti që oferta fituese prej 515,600,000 lekësh të reja pa TVSH kap plot 98.16% të fondit limit, vërteton se nuk ka pasur asnjë lloj gare reale. Në një prokurim ku fituesi ofron pothuajse të njëjtën vlerë me tavanin maksimal të lejuar, kursimi për xhepat e qytetarëve është zero. Kjo "gosti" mes sekserësh dhe drejtuesish shtetërorë konfirmon edhe njëherë se si institucionet në varësi të Ballukut po i shpërndajnë fondet publike si të ishin dhurata personale për klientët e tyre besnikë.