Një i ri nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania duke dërguar një video, ku pretendon se ka rënë pre e një grabitjeje me kërcënim nga një taksist i kompanisë 'Lux Taxi' në kryeqytet.
Sipas dëshmisë së tij, ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 14:45 në zonën e “Pallatit me Shigjeta”, pranë shkollës së Hoteleri-Turizmit. Ai shprehet se ka ndaluar rastësisht një taksi të kompanisë në fjalë dhe pasi kanë lëvizur rreth 100 metra, drejtuesi i mjetit, sipas pretendimit të tij, i ka vendosur një thikë në fyt duke e kërcënuar dhe i ka marrë një shumë parash që, sipas tij, është mbi 485 euro.
I riu thotë se ka kontaktuar menjëherë kompaninë përmes mesazheve, duke kërkuar që t’i vihej në dispozicion një mënyrë për të identifikuar drejtuesin e mjetit. Ai pretendon se ka kërkuar që të mblidheshin taksistët për të verifikuar se kush prej tyre mund të ishte autori i ngjarjes, por sipas tij, kompania i është përgjigjur se nuk mund të mbledhë rreth 600 shoferë dhe nuk i ka dhënë një zgjidhje konkrete.
Në komunikimin me redaksinë tonë, ai është shprehur se do të presë deri ditën e nesërme për një reagim nga kompania dhe në të kundërt do t’i drejtohet policisë për kallëzim zyrtar.
I riu ka dhënë edhe një përshkrim të personit që pretendon se e ka kërcënuar: rreth 30-35 vjeç, me sy kaf, mjekër të shkurtër dhe flokë të kthyera nga njëra anë.
Redaksia e JOQ Albania thekson se këto janë pretendimet e qytetarit dhe nuk ka ende një reagim zyrtar nga kompania në fjalë apo nga autoritetet. Ne mbetemi të hapur për çdo reagim nga kompania në fjalë apo institucionet përkatëse për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.