Prag atentati në Vlorë? Dy automjete dhe bidona benzine gjenden të fshehura në Babicë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 09.02.2026, 19:29

Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar nga Policia e Vlorës, mbas disa kontrolleve intensive të ushtruara në territorin e qarkut.

Burime zyrtare bëjnë me dije se gjatë ditës së djeshme, shërbimet e Policisë kanë zhvilluar kontrolle të imtësishme në aksin rrugor Vlorë–Babicë, si edhe në zonën e fshatit Babicë e Madhe, pas informacioneve se dy automjete dyshohej se do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Si rezultat i kontrolleve, në një sipërfaqe ullishteje në fshatin Babicë e Madhe, policia ka konstatuar të fshehura dy automjete të dyshuara të vjedhura, konkretisht, një automjet tip “Nissan”, me targa të huaja dhe një automjet tip “Audi Q5”, me targa të huaja.

Gjithashtu, pranë automjeteve janë gjetur dhe tre bidona me lëndë djegëse (benzinë), çka forcon dyshimet se ato do të përdoreshin për një veprimtari kriminale.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se automjetet dhe lënda djegëse ishin përgatitur për t’u përdorur në një ngjarje të rëndë kriminale, e cila u parandalua në kohë nga ndërhyrja e Policisë.

Automjetet dhe provat e sekuestruara janë dërguar për ekzaminime shkencore, ndërsa grupi i posaçëm hetimor i DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e autorësisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit