Franca ka nisur të dielën stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë, në një kohë kur tensionet në Evropë janë rritur ndjeshëm për shkak të kërcënimeve nga Rusia.
Operacioni “Orion 26” mobilizon 12,500 trupa dhe do të zgjasë tre muaj, deri më 30 prill. Në të marrin pjesë 25 anije luftarake, përfshirë aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle”, 140 avionë, 1200 dronë, 40 helikopterë dhe mbi 2000 mjete taktike. Në stërvitje janë përfshirë forca nga 24 vende aleate, mes tyre SHBA, Japonia, Zvicra dhe Maroku.
Ministria franceze e Forcave të Armatosura e cilësoi “Orion 26” si një ngjarje madhore për përgatitjen e ushtrisë në skenarë me intensitet të lartë, në mjedise komplekse dhe të kontestuara.
Stërvitja bazohet në një skenar fiktiv mes dy shteteve të quajtura Arnland dhe Mercury, i frymëzuar drejtpërdrejt nga kërcënimi rus në Evropë. Sipas këtij skenari, Mercury, një shtet ekspansionist, përpiqet të destabilizojë Arnlandin për të penguar afrimin e tij me Bashkimin Evropian, ndërsa Franca udhëheq një koalicion ndërkombëtar në mbrojtje të tij.
Operacionet do të përfshijnë zbarkime të simuluara amfibe dhe ajrore në Bretanjë, kundërsulme, kalime të lumenjve me zjarr të vërtetë dhe përfshirje të elementëve të luftës kibernetike dhe asaj hapësinore. Nga prilli, stërvitja do të kalojë nën komandën e NATO-s për të testuar bashkëpunimin mes ushtrive evropiane.
Sipas autoriteteve franceze, kjo stërvitje është thelbësore në një moment kur përfshirja në një konflikt me intensitet të lartë “mund të bëhet realitet”.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se Rusia mund të sulmojë aleancën brenda pesë viteve të ardhshme, ndërsa lufta në Ukrainë po hyn në vitin e katërt dhe operacionet hibride që i atribuohen Moskës janë shtuar në të gjithë Evropën.