Një tjetër rrezik i hapur për qytetarët po injorohet në autostradën Thuman–Laç. Pranë zonës ku ndodhet një pikë karburanti, rruga është çarë dhe është krijuar një gropë e madhe, e cila çdo ditë po dëmton automjete dhe po vë seriozisht në rrezik drejtuesit e mjeteve.
Sipas denoncimit të qytetarit, vetëm mbrëmjen e kaluar mbi 10 makina kanë pësuar dëmtime në goma, ndërsa autoritetet përgjegjëse vijojnë të heshtin, sikur të mos kalonte askush në këtë aks kombëtar.
Në një rrugë ku qarkullojnë qindra automjete çdo orë, mungon çdo lloj sinjalizimi, duke e kthyer këtë gropë në një kurth të padukshëm, sidomos gjatë natës ku fushëpamja është e dobët. Pyetja është e thjeshtë: A duhet të humbasë dikush jetën që të ndërhyhet?
Qytetari paralajmëron se kjo situatë nuk është më thjesht neglizhencë, por papërgjegjshmëri kriminale, pasi rreziku është i përditshëm dhe i dukshëm.
Denoncimi publikohet për të ngritur alarmin publik, në një kohë kur institucionet përgjegjëse duket se presin aksidentin fatal për të lëvizur.