Një vajzë 2-vjeçare me origjinë shqiptare, po lufton me jetën pasi ditën e djeshme që në shatërvanin e sheshit “Kyprou” , Kalithea, Greqi.
Sekondat dramatike të 2-vjeçares që ndodhej pa frymë pas rënies në shatërvanin e sheshit i rrëfeu një punonjës restoranti që i dha ndihmën e parë fëmijës.
Sipas tij, menjëherë pasi dëgjoi britmat, ai doli nga restoranti dhe shkoi për të ndihmuar, pasi kishte njohuri për ndihmën e parë. Në panikun e situatës, ai u detyrua të thoshte se ishte mjek për t’i lejuar t’i jepte ndihmën e parë vajzës.
“Pashë disa njerëz që vraponin të trembur duke mbajtur një fëmijë në krahë. Fillimisht mendova se kishte ndodhur diçka e bukur, por e pashë fëmijën që e lëshuan në tokë dhe kuptova se gjërat nuk ishin normale. Nuk kishte qetësi, vetëm panik, frikë dhe ankth, dhe kuptoja se po i shkaktohej dëm fëmijës. Nuk kishte ndihmë të parë të duhur,” tha ai.
Punonjësi vazhdoi duke përshkruar se si iu desh të bënte frymëmarrje artificiale ndërsa fëmija filloi të villte dhe nxirrte lëngje nga hunda. Ai i kërkoi njerëzve të mos e lëviznin fëmijën, derisa mbërritën policët, të cilët e morën vajzën dhe e transportuan në spitalin pediatrik.
“Vetëm rastësisht po kalonte një patrullë policie. Pronari i lokalit vrapoi pas saj për t’iu treguar se ishte një vajzë që kishte rënë dhe ishte në gjendje kritike. Policia e mori vajzën dhe më pas vijuan procedurat e nevojshme,” shtoi ai.
Hetimet kanë zbuluar se prindërit kishin dhënë informacion të pasaktë mbi moshën e fëmijës, duke deklaruar fillimisht se ajo ishte 5 vjeçe, ndërkohë që rezultoi vetëm 2 vjeçe. Policia greke ka arrestuar babain 25-vjeçar, ndërsa nëna 23-vjeçare po hetohet në gjendje të lirë; të dy do të paraqiten para prokurorit nën akuzën e neglizhencës në mbikëqyrjen e të miturës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Ngjarja ka tronditur komunitetin dhe ka nxitur shqetësime mbi sigurinë e fëmijëve në hapësira publike.