Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Kalitheas në Greqi, ku një vajzë 2-vjeçare me origjinë shqiptare ka rënë aksidentalisht në shatërvanin e sheshit “Kyprou” dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Sipas mediave greke, fëmija po luante pranë shatërvanit dhe, pasi i ka shpëtuar vëmendjes së prindërve, ka rënë në ujë.
Vajza u transportua me urgjencë në Spitalin e Fëmijëve “Aglaia Kyriakou”, ku mjekët ndërhynë menjëherë. Pas rreth 40 minutash përpjekjesh intensive dhe kryerjes së manovrës CPR, ata arritën ta ringjallnin, por autoritetet bëjnë me dije se gjendja e saj shëndetësore mbetet ende kritike dhe ajo po trajtohet në njësinë e kujdesit intensiv.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se prindërit kishin dhënë informacion të pasaktë mbi moshën e fëmijës, duke deklaruar fillimisht se ajo ishte 5 vjeçe, ndërkohë që rezultoi vetëm 2 vjeçe. Policia greke ka arrestuar babain 25-vjeçar, ndërsa nëna 23-vjeçare po hetohet në gjendje të lirë; të dy do të paraqiten para prokurorit nën akuzën e neglizhencës në mbikëqyrjen e të miturës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.