Një ngjarje si në filma ka ndodhur sot në autostradën Brindisi-Leçe, Itali, pranë daljeve të Tuturanos. Një grup i armatosur sulmoi dy automjete të blinduara të kompanisë BTV-Battistolli. Pas sulmit, ndodhi një ndjekje me karabinierët; një plumb i qëlluar nga grabitësit goditi një automjet të forcave të rendit, por askush nuk u lëndua.
Dy persona, të dyshuar si pjesë e bandës, u arrestuan, ndërsa dy të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Sipas mediave lokale, sulmuesit bllokuan rrugën duke djegur një furgon, për të ndaluar automjetet e blinduara dhe për t’i bërë më të prekshme. Pasi i ndaluan, ata hapën zjarr mbi automjetet me armë automatike dhe më pas detyruan rojet e sigurisë të zbresin, duke shpërthyer automjetet.
Para sulmit, banda dyshohet se ka grabitur edhe disa automjetet e kalimtarëve, duke përdorur automjete të tyre dhe duke u prezantuar si forca policore me drita të ndezura.
Karabinierët ndërhynë menjëherë dhe nisi një ndjekje në zonë. Përpjekjet e grabitësve për të shpëtuar nuk arritën dhe dy prej tyre u arrestuan. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të grupit dhe për të përcaktuar nëse ata vepruan të vetëm apo ishin pjesë e një bande të organizuar. Identiteti i dy të arrestuarve ende nuk është bërë publik.