Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh të hënën në mëngjes në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut, e cila ndodhet aktualisht e pezulluar nga detyra e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës. Mbledhja erdhi në një moment tensioni institucional, pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu pezullimin e saj, ndërsa Rama u përpoq të mbante të rreshtuar deputetët socialistë pas një qëndrimi të unifikuar.
Pas mbledhjes, Rama publikoi në rrjetin social X tre “konkluzione” që, sipas tij, përfaqësojnë qëndrimin e PS. Në thelb, ai kundërshton idenë se funksionet kushtetuese të padelegueshme nga ministrat deri te Presidenti mund të pezullohen, duke argumentuar se një veprim i tillë paralizon institucionin dhe jo vetëm individin. Ky qëndrim shihet nga kritikët si një përpjekje e hapur për të mbrojtur Ballukun dhe për të relativizuar efektet e masave ligjore.
Rama paralajmëroi gjithashtu se mazhoranca do të angazhohet për “ndërhyrje në legjislacion” për të zgjidhur situatën, duke iu referuar edhe deklaratës së Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tij është unanime për problemin, por jo për zgjidhjen. Një hap i tillë ngre pikëpyetje serioze mbi balancën e pushteteve dhe rrezikun e ndryshimeve ligjore të diktuara nga interesa konkrete politike.
Në përfundim, kryeministri theksoi se e vetmja palë e “përmbushur” nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, i cili mund të vijojë hetimet pa pengesa, duke shtuar se nuk ka urgjencë për të trajtuar kërkesat e prokurorisë deri në një zgjidhje ligjore. Megjithatë, përtej deklaratave për mbështetje ndaj SPAK-ut dhe pavarësisë së institucioneve, mesazhi politik i Ramës lexohet si një përpjekje për të fituar kohë dhe për të kontrolluar dëmin politik që rasti Balluku i shkakton mazhorancës.
