Nga data 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt, para Dhomave të Specializuara në Hagë do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Seancat do të mbahen nga ora 09:00 deri në 16:30, sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës Speciale.
Më 9 dhe 10 shkurt do të paraqitet deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, si dhe ajo e Mbrojtjes së Viktimave. Nga 11 shkurti do të nisë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë ndalim të paligjshëm, torturë, vrasje, burgosje, zhdukje me forcë dhe përndjekje. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Krimet pretendohet se janë kryer nga marsi deri në shtator të vitit 1998 në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, ndërsa aktakuza u konfirmua më 26 tetor 2020. Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë vendim, me mundësi shtyrjeje. Ndërkohë, ndaj Hashim Thaçit pritet të nisë edhe një proces i veçantë për pengim të administrimit të drejtësisë.