Këtë të hënë, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, ndërsa nga orët e mesditës do të ketë edhe alternime me kthjellime në disa zona.
Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme dhe me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në relievet malore priten shtrëngata afatshkurtra. Nga mesdita dhe gjatë pasdites, reshjet do të humbasin gradualisht territor, duke mbetur të pranishme kryesisht në zonat malore, deri në ndërprerjen e tyre.
Në zonën e Alpeve dhe në relievet malore mbi 1000–1100 metra, veçanërisht në verilindje dhe juglindje, parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar. Era do të fryjë nga verilindja në veriperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, duke arritur deri në 10 m/s në zonat luginore dhe përgjatë reliefeve malore, ndërsa valëzimi në det do të jetë i forcës 1–2 ballë.